Categories
Lajmet

[:sq]Federata e tenisit organizoi kamp në Graçanicë[:]

[:sq]Federata e Tenisit e Kosovës (FTK) në fundjavë (16 Prill 2011) ka organizuar një kamp tenisi në komunën e Graçanicës, në të cilin kanë marrë pjesë një numër i madh të rinjsh. Zyrtarët e FTK-së por edhe ata të komunës së Graçanicës, e cila është e populluar kryesisht me pakicën serbe janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me kampin, duke premtuar se ky nuk do të jetë edhe i fundit. Përveç kryetarit të FTK-së Shkëlzen Domi, pjesë e delegacionit ishin edhe katër trajnerë të Prishtinës, Arben Islami, Jeton Hajdari, Behar Kurteshi dhe Besart Halimi. Me këtë rast FTK-ja të rinjve graçanicas iu ka dhuruar rekuizita të tenisit, si reketa, topa dhe rrjeta, të cilat i kishte marrë kohë më parë si pjesë e masivizimit të tenisit nga vetë federata ndërkombëtare e tenisit (ITF). “Në bashkëpunim me komunën e Graçanicës kemi organizuar një kamp promovues të tenisit për fëmijë në terrenet që i ka bërë komuna. Aktiviteti i sotëm është që fëmijët të kuptojnë se tenisi është lojë, kurse më kalimin e kohës nëse dëshmojnë talent sigurisht se dalin edhe obligime të dyanshme. Kjo është iniciativa e parë, por në bashkëpunim me Komunën e Graçanicës do të mundohemi të zhvillojmë edhe më tutje bashkëpunimin. Jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe në organizimin e klubit, pasi që tani terrenet janë, që më pastaj klubi do të integrohej edhe në të gjitha aktivitetet dhe strukturat e Federatës”, tha Domi. Kënaqësinë për mbajtjen e këtij kampi nuk e ka fshehur as kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq. Ai është shprehur se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mirë dhe në të mirë të përmirësimit të jetës së të rinjve serbë në Kosovë. “Të gjithë ata që mendojnë për ardhmërinë dhe zhvillimin e popullit të tyre, duhet të kujdesen për të rinjtë, e sporti është segmenti themelor për njerëzit e rinj dhe është bazë e mirë për të krijuar njerëz kualitativë. Ky është fillimi i organizimit të jetës sportive këtu”, tha Stojanoviq.. “Duhet t’u japim rastin të rinjve që të tregojnë veten dhe të mos lejojmë që të përsëritet e kaluara. Pra, duhet t’iu ofrojmë atyre një jetë më të mirë. Këtu nuk ka politikë, por kjo është thjesht marrja me vetveten”. “Kjo është dita e parë, por ne nuk do të ndalemi që në të ardhmen të sjellim njerëzit e sporteve këtu, e tenisi ishte i pari. Ne do të punojmë që në të ardhmen të sjellim këtu ambasadorët e sportit, edhe në futboll, basketboll, hendboll, e që do të jetë një shpresë për jetë më të mirë, për të gjithë ata që mendojnë të mbeten këtu”, tha numri një i Komunës së Graqanicës. “Vitin e ardhshëm të fillohet edhe në ndërtimin e një kompleksi të madh sportiv në Graçanicë, ndër më të mirët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, me të cilin do të mburremi të gjithë”, tha Stojanoviq.

[:]