Zyrtarët e ​ federatës mbajtën sot konferencë online me Drejtorin për zhvillim të ITF z.Vitor Cabral.

18 Maj 2020

Kryetari Rexhepi, z. Shkëlzen Domi dhe​ z. Vërshim Hatipi​ kanë mbajtur sot koferencë me Drejtorin për Zhvillim të ITF z.Vitor Cabral. Në takim u diskutuan disa pika të rëndësishme që lidhën me gjendjen aktuale të tenisit kosovar dhe planet për të ardhmen.

Z. Vitor Cabral u interesua se kur do të hapen terrenet e tenisit në Kosovë duke thëne se në shumicën e vendeve te Evropës ato tash më janë hapur (duke iu përmbajtur disa kushteve). Në këtë z. Cabral u informua nga Kryetari Mejdiu se kërkesa për të filluar më herët me ushtrime nuk është pranuar nga Ministria e Shëndetësisë, dhe se me gjasë do të fillohet me ushtrime dhe hapje të terreneve nga 2 qershori i këtij viti.

Më pas z. Cabral u interesua për ushtrimet dhe për fatin e talentëve juniorë të Kosovës, në veçanti se si ata po gjinden në këtë situatë. U tha se ka pasur trajnime dhe ushtrime fizike të organizuara me trajnerin kondicional për ta mbajtur sado pak kondicionin në nivel sa më të lartë të mundshëm në këto rrethana.

Në lidhje me trajnerët z. Domi tregoi se ndër të parët trajnerët e Kosovës kanë mbajtur takime online ku janë diskutuar tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me çështje taktike, çështje mentale, përgatitje fizike, evitimin e lëndimeve dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me punën e trajnerëve. Po ashtu tregoi për mbajtjen e konferencës edhe me prindër për të parë edhe qëndrimet e tyre, si dhe seminarin për ngritje të kapaciteteve administrative të klubeve i cili u mbajt po ashtu gjatë kësaj periudhe të pandemisë. U kërkua që të ketë kampe për trajnerë gjatë vitit, me ekspertë dhe ndihmë të ITF-it, dhe Z. Cabral do të angazhohet për këtë.

Në këtë pikë Vitor Cabral shprehi dhe inkurajoi sërish trajnerët e federatës që të hyjnë në “ITF Academy”, falas, dhe aty të bëjnë ndjekjen e kurseve dhe ideve e programeve të ndryshme për mbajtjen e ushtrimeve. Ai tha se do t’i dërgojë në FTK emrat e trajnerëve kosovar dhe të dhënat se sa shpesh dhe çfarë kursesh po ndjekin në alademi.

Kur jemi te trajnerët, zyrtarët e federatës treguan se si në fillim të vitit FTK kishte planifikuar dhe buxhetuar që të angazhohet një trajner nacional, si koordinator për çështjet e zhvillimit të trajnerëve dhe programit të zhvillimit të tenisit nëpër klube, dhe i cili do të angazhohej dhe punonte afër me trajnerët. Tutje, u tha se trajnerët kanë shprehur brenga se mos kjo do të reflektohet negativisht në të ardhurat e tyre, ndërkohë që z.Cabral tha se angazhimi i një personi të tillë është tejet i domosdoshëm për federatën, dhe se përkundrazi, do t’i ndihmonte klubeve dhe trajnerëve që të hyrat e tyre (krahas rritjes së cilësisë dhe participimit) t’i risin. Ai tha se varësisht rrethanave mbase do të mund të ketë pak ndihmë nga ITF në këtë drejtim.

Kur jemi tek ndihmat e ITF ai rikujtoi ndihmën që do të mund ta jepnin për Qendrën Nacionale, qoftë me një grant në max deri në 50,000 USD por edhe ndihmën që mund të ua ofronin institucioneve tona në mënyrë që ajo të ndërtohet. Po ashtu shprehi gadishmërinë që të ndihmojë edhe me rritjen e ndihmës financiare prej USD 3000 për kampe për U14 e U16 që tashmë êshtë zotuar.

Në fund u diskutua edhe për Davis dhe Fed Cup. Akoma nuk ka diçka përfundimtare, por z. Cabral tha se po bëhet gjithçka që këto të mbahen sivjet, megjithatë mbetet për t’u parë.