Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Tenisit do ta shqyrtojë çështjen e pranimit dhe ndihmës

Kërkesa e FTK-së shqyrtohet në Paris Prishtinë, 28 prill – Bordi i ri i Federatës së Tenisit të Kosovës i ka ringjallur kërkesat për pranim ndërkombëtar dhe për këtë çështje më 3-4 qershor në Paris do të diskutojë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Tenisit (TE). Komunikimet me TE-në kanë filluar që pas zgjedhjes së bordit të ri, më 22 mars, nga kryetari Shkëlzen Domi.
Si rrjedhojë e bisedave të ndërsjella FTK dhe TE, shefi ekzekutiv i kësaj së dytës, Olli Mäenpää, e ka siguruar kryetarin Domi se kërkesa e FTK-së për pranim dhe ndihmë do të diskutohet në Paris. “Ky është vetëm një hap dhe do të përpiqemi të krijojmë kontakte direkte sa më të shpeshta me zyrtarët e TE-së dhe ITF-së, të cilëve po ashtu u kemi dërguar informata lidhur e zhvillimet e tenisit në Kosovë dhe kërkesën për anëtarësim. Përveç anëtarësimit, kuptohet se kemi nevojë për ndihma profesionale dhe asistencë nëpërmjet projekteve për zhvillimin e tenisit, që i kanë këto dy federata. Shpresojmë se kërkesa jonë do të hasë në mirëkuptim dhe do të fillojë bashkëpunimi më konkret”, tha kryetari i FTK-së, Domi.
FTK-ja po ashtu ditë më parë e ka lëshuar në përdorim faqen e re të internetit (me informata të plotësuara për gjithë federatën, klubet, turnetë dhe ranglistat e më të mirëve nëpër kategori).
Gjithashtu, Domi tha se në bazë të premtimeve që ka marrë na zyrtarët komunalë të Pejës pritet shumë shpejt aktivizimi i dy terreneve të tenisit pranë palestrës “Karagaç” dhe i klubit Peja, që e ka një traditë të gjatë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *